Ministria e Shëndetësisë

WebinHealth Webinars

Pandemia nga COVID-19 i vuri sistemet e kujdesit shëndetësor përballë  sfidave të shumta. Vështirësitë me të cilat u përballën dhe po përballen profesionistët e shëndetësisë në komunikim me pacientët, profesorët dhe studentët për të zhvilluar mësimdhënie, kërkime shkencore, veprimtari trainimi, shkëmbim përvojash dhe konsultime në distancë, kërkojnë zgjidhje. Një ndër zgjidhjet është komunikimi nëpërmjet rrjetit dixhital, webinhealth.

Projekti, në kuadër të Iniciativës së Evropës Qendrore (Central European Initiative – CEI) midis Rajonit Emilia-Romagna, Itali, përfaqësuar nga Lepida dhe Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, synon të përshpejtojë inovacionin dixhital në sistemin shëndetësor në Shqipëri përmes webinareve interaktive, që do të zhvillohen nga Tetor 2020 deri në Janar 2021.

Lepida ScpA, një kompani me qendër në Bolonja, Rajoni Emilia-Romagna, Itali, është instrumenti kryesor operacional përsa i përket zbatimit të planit Rajonal të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), që përcakton strategjitë e rrjeteve me banda të gjera, siguron dhe optimizon shpërndarjen e shërbimeve TIK në kujdesin shëndetësor, për të përmirësuar marrëdhëniet midis qytetarëve dhe Shërbimit Shëndetësor Rajonal.

Referuesit në këto webinare janë pedagogë të UMT dhe ekspertë të Lepida.

Pjesëmarrës do të jenë pedagogë, studentë të UMT, mjekë, farmacistë, punonjës të tjerë të shëndetit, pse jo dhe pacientë etj.

Këto janë hapat që duhen ndjekur për t’u regjistruar në webinaret e WebinHealth:

1. Për t’u regjistruar shkoni në adresën:

https://www.lepida.net/integrazioni-digitali/progetti-europei/webinhealth-webinars, zgjidhni webinarin për të cilin jeni i interesuar dhe plotësoni rubrikat.

2. Pasi të regjistroheni do ju vijë me e-mail linku për t’u lidhur me webinarin.

3. Webinaret WebinHealth do të mbahen në gjuhët Italisht dhe Shqip dhe do të përkthehen respektivisht. Pjesëmarrësit mund të zgjedhin më pas kanalin audio në gjuhën që dëshirojnë të dëgjojnë webinarin.